UBT News

Zbulohen mbetjet e “viktimës së parë të murtajës” 5000 vjeçare

Shkencëtarët kanë zbuluar një konkurent të ri për “titullin” e personit të parë që vdiq nga murtaja, shkruan BBC, transmeton UBTNews.

Një njeri që vdiq më shumë se 5.000 vjet më parë në Letoninë e sotme ishte infektuar me variantin më të vjetër të njohur të sëmundjes, sipas provave të reja.

“Kjo është deri tani viktima më e vjetër e murtajës që kemi zbuluar,” tha Ben Kraus-Kjora pranë Universitetit të Kiel në Gjermani.

Burri u varros me tre të tjerë në një varrezë nga periudha neolitike, pranë lumit që derdhet në Detin Baltik.

Studiuesit mblodhën mostra të ADN-së nga kockat dhe dhëmbët e të katër personave dhe i testuan për baktere dhe viruse.

Ata u befasuan kur zbuluan se një gjahtar-mbledhës, një burrë në të njëzetat e tij, ishte infektuar me një variant të murtajës të shkaktuar nga bakteri Yersinia pestis.

“Ai ndoshta u kafshua nga një brejtës, i infektuar me Yersinia pestis dhe vdiq brenda disa ditësh ose një javë më vonë, nga shoku septik,” tha Kraus-Kjora.

Murtaja u përhap në Evropë në shekullin e 14-të dhe zhduku rreth gjysmën e popullsisë. Sëmundja u kthye në valë gjatë disa shekujve dhe shkaktoi miliona vdekje.

Exit mobile version