Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, ka reaguar përmes një deklarate zyrtare lidhur me rastin e zbulimit të varrezave masive në komunën e Zubin Potokut, ku janë gjetur mbetje mortore dhe dyshohet për trupa të tjerë të viktimave nga lufta e fundit në Kosovë.
Kryeprokurori Gashi ka vlerësuar lart punën e të gjitha institucioneve ligjzbatuese që janë të përfshira në këtë proces, duke theksuar rëndësinë e madhe që ka ky rast për drejtësinë dhe familjarët.
“Zbulimi i këtyre varrezave masive është një përpjekje dhe angazhim shtetëror për zbardhjen e së vërtetës dhe vendosjen e drejtësisë. Mbi të gjitha, ndriçimi i këtyre rasteve përbën një detyrim institucional dhe ligjor ndaj viktimave dhe familjeve të tyre që prej vitesh presin përgjigje për fatin e më të dashurve të tyre“, ka deklaruar Kryeprokurori Gashi.
Në deklaratën e tij, ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit gjithëpërfshirës për identifikimin e përgjegjësve për këto krime.
“Kryeprokurori i Shtetit vlerëson praninë e të gjitha institucioneve dhe qytetarëve në vendin e ngjarjes ku janë gjetur mbetjet mortore. Kontributi dhe bashkëpunimi i secilit kanë qenë dhe mbetet thelbësor për zbardhjen e këtyre rasteve, si dhe për identifikimin e personave përgjegjës të përfshirë në kryerjen e këtyre krimeve me qëllim që ata të përballen me drejtësinë“, përmbyllet deklarata. /E.A/
