Zëvendës-presidenti i Interit, Javier Zanetti e ka pranuar se ai do dëshironte që t’i shmangej Real Madridit në finalen e Ligës së Kampionëve.
Interi siguroi mbrëmë finalen e kësaj gare pasi që e eliminoi rivalin lokal Milanin, duke e mposhtur brenda dy ndeshjeve me rezultat të përgjithshëm 3:0.
“Nerazzurët” do të përballen në finale me fituesin e ndeshjes së sotme mes Manchester City-t dhe Real Madridit, në Stamboll më 10 qershor.
“Do të doja që ta shmangim Real Madridin sepse kjo garë duket se është vetëm për ta. Sidoqoftë, gjëja më e rëndësishme është që kemi arritur këtu. Ishte një rrugëtim i vështirë, nuk është e lehtë që ta luajmë një derbi në gjysmëfinale. Unë e bëra këtë gjë dhe u mposhta në vitin 2003”, tha Zanetti.
Interi ishte pozicionuar në “grupin e vdekjes” në muajin gusht me Bayern Munich, Barcelona dhe Viktoria Plzen dhe u kualifikua tutje nga pozita e dytë, duke eliminuar Barçën. Më tej, “Nerazzurët” mposhtën Porton, Benfican dhe Milanin në fazën e eliminimit, duke mbajtur pesë porta të paprekura në gjashtë ndeshje.