Mbrojtësi i majtë i Liverpoolit, Andrew Robertson do t’i nënshtrohet një operimi në krahun që e lëndoi duke luajtur me Kombëtaren e Skocisë, thotë trajneri i “Të Kuqve”, Jurgen Klopp.
Robertson u lëndua në ndeshjen me Spanjën në një duel me portierin Unai Simon gjatë ndeshjes së 12 tetorit në kualifikimet e Euro 2024.
“Vendimi që ne e kemi marrë është operimi. Kjo nënkupton se ai është jashtë fushave për një kohë të konsiderueshme. Nuk e di saktësisht për sa”, tha Klopp.
“Kishte pak gjasa që ne të provojmë pa operim, por pasi që biseduam me të gjithë ekspertët, duket sikur operimi është gjëja e duhur, sidomos në aspektin afatgjatë”, shtoi më tej Klopp.
Liverpooli i rikthehet nesër aksionit në Premier Ligë, ku e zhvillon derbin lokal me Evertonin me fillim nga ora 13:30.