Federata e Futbollit e Kosovës, në bashkëpunim me sponsorin zyrtar të Superligës, Albi Mall, ka ndarë çmimin tradicional “Ylli i Javës”, që i dedikohet futbollistit më të dalluar të javës në Superligën e futbollit kosovar.
Për javën e 21-të të këtij edicioni, çmimi shkoi për Ruben Silva Richards të FC Ferizaj, i cili ndihmoi skuadrën e tij të fitojë 3 pikë të rëndësishme me dy gola të shënuar kundër FC Ballkan, në një ndeshje që përfundoi 2:1. Vlerësimi u bë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit.
Pas marrjes së këtij çmimi, Richards u shpreh:
“Mendoj që ka qenë një ndeshje e mirë, ku ekipi funksionoi shumë mirë mes vete. Unë shënova dy gola, por pa përpjekjen e madhe të bashkëlojtarëve nuk do të ishte e mundur, prandaj jam shumë mirënjohës.
Liga është shumë e mirë, me lojtarë taktikë dhe me nivel të lartë. Qyteti dhe shteti i Kosovës janë shumë mikpritës. Jam shumë i lumtur këtu.
Dua ta ndaj këtë shpërblim me kapitenin e ndeshjes, Mexhit Neziri, i cili gjithashtu ka bërë një punë të shkëlqyer në këtë ndeshje.”
Ky çmim vlerëson jo vetëm performancën individuale të futbollistëve, por edhe përpjekjen e ekipit dhe ndikimin e tyre në zhvillimin e Superligës së Kosovës. Ruben Silva Richards ka treguar një herë tjetër aftësitë e tij, duke u bërë protagonist në një ndeshje vendimtare për FC Ferizaj.
