Giovanni Di Lorenzo ka thënë se Italia e di shumë mirë sa sulmues i fortë është Romelu Lukaku, por ka këmbëngulur se Belgjika ka shumë lojtarë të mirë, para takimit çerekfinal në Euro 2020 të premten.
Mbrojtësi anësor i Napolit foli për UEFA.com dy ditë para ndeshjes së Italisë së tij kundër djajve të kuq belgë dhe u pyet nëse italianët janë përgatitur për t’u përballur me sulmuesin e Interit, Lukaku, transmeton Gazeta Express.
Lukaku i ka shënuar tri gola deri tani në Euro 2020 dhe Di Lorenzo thotë se ai nuk është kërcënimi i vetëm në skuadrën e Roberto Martinezit.
“Ne e njohim mirë Lukakun sepse përballemi me të edhe në Serie A. Ne e dimë se ai është sulmues i madh, ai e pati një sezon të mrekullueshëm në Inter”, tha Di Lorenzo.
“Atë duhet ta vëzhgojmë, por Belgjika ka shumë lojtarë të fortë dhe do të jetë një ndeshje e fortë”, shtoi ai.