Legjionarët shqiptarë kanë shkëlqyer në klubet e tyre dhe janë përfshirë në formacionet e javës në tri liga të rëndësishme evropiane.
Edon Zhegrova ka impresionuar në Ligue 1, edhe pse skuadra e tij, Lille, pësoi humbje 3-1 nga PSG. Zhegrova shënoi golin e vetëm për Lille dhe u vlerësua si lojtari më i mirë i ndeshjes me notën 8.4 nga SofaScore. Ai kishte 66 prekje të topit gjatë ndeshjes dhe një gjuajtje të saktë në kuadrat që rezultoi në gol. Ndër 10 tentimet për driblime, ai kishte sukses në pesë prej tyre dhe plotësoi 31 nga 34 pasime. Për më tepër, Zhegrova krijoi tri shanse të mëdha për ekipin e tij dhe pati katër pasime kyçe.
Fisnik Asllani, sulmues i Elversberg në Bundesliga 2, ka vazhduar formën e tij të shkëlqyer duke shënuar dy gola në fitoren 3-0 ndaj Darmstadtit. Asllani shënoi në minutën e 22-të për 2-0 dhe sërish në minutën e 59-të për 3-0. Ai u vlerësua me notën 9.1 nga SofaScore, duke u bërë lojtari më i mirë i ndeshjes dhe duke zënë vend në formacionin e javës. Ky sukses i tij është një sinjal pozitiv për grumbullimin e tij me Kombëtaren e Kosovës për ndeshjet e shtatorit.
Në Superligën e Turqisë, Arbnor Muja ka bërë një paraqitje mbresëlënëse me Samsunspor, duke shënuar golin e parë dhe duke asistuar për një tjetër në fitoren 3-0 ndaj Hataysporit. Muja shënoi në minutën e 51-të dhe asistoi në golin e dytë. Ai gjithashtu kishte tre pasime kyçe dhe dy gjuajtje në portë. Me një vlerësim prej 9.2 nga SofaScore, Muja është përfshirë në formacionin e javës në Superligën e Turqisë./UBTNews/