Një takim trepalësh mes liderëve të Kinës, Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, Xi Jinping, Donald Trump dhe Vladimir Putin, raportohet se pritet të mbahet të enjten në vilën Kylin, në qytetin Shenzhen të Kinës.
Sipas BBC-së, masat e sigurisë në këtë kompleks janë shtuar ndjeshëm në prag të takimit.
Kompleksi shtetëror, i hapur në vitin 1997, ka shërbyer ndër vite si vendpritje për liderët kinezë dhe personalitete të larta ndërkombëtare që kanë vizituar qytetin.
Vendimi i Pekinit për të zgjedhur një ambient më privat, në vend të një hapësire zyrtare konferencash, mund të jetë tregues se takimi shihet më shumë si një takim në margjinat e një ngjarjeje tjetër, sesa si një samit i veçantë me rëndësi të pavarur.
Kështu vlerëson Minseon Ku nga Universiteti DePaul, specialiste e diplomacisë së samiteve, e cila për BBC-në ka thënë se Kina, si nikoqire e samitit të APEC-ut, dëshiron që kjo ngjarje të mbetet në qendër të vëmendjes dhe të mos e lërë në hije takimi trepalësh.
Ndërkaq, profesori Shaoyu Yuan nga Universiteti i Nju-Jorkut, i cili studion diplomacinë mes SHBA-së dhe Kinës, thekson se vila Kylin është një lokacion relativisht i lehtë për t’u siguruar.
Afërsia e saj me aeroportin do t’i mundësonte gjithashtu presidentit amerikan, Donald Trump, të largohej menjëherë pas përfundimit të takimit.
Sipas profesorit Yuan, zgjedhja e këtij lokacioni i jep takimit një karakter më pak formal diplomatik, duke e paraqitur atë si një angazhim pune që pritet të zgjasë rreth një orë. Një profil më i ulët ceremonial do të nënkuptonte edhe më pak kosto politike në rast se takimi nuk prodhon rezultate konkrete. /BBC/
