Media shtetërore kineze ka ndarë detajet e bisedimeve të nivelit të lartë në Zhongnanhai mes Presidentit Xi Jinping dhe Presidentit Donald Trump, të cilët e kanë vlerësuar takimin e tyre si një kthesë historike për marrëdhëniet dypalëshe.
Presidenti kinez, Xi Jinping, e quajti këtë vizitë “historike dhe pikë referimi”, duke theksuar se të dy udhëheqësit kanë vendosur një “pozicionim të ri për një marrëdhënie konstruktive, strategjike dhe të qëndrueshme” midis dy fuqive botërore.
“Presidenti Trump synon ta bëjë Amerikën sërish të madhe, ndërsa unë jam i përkushtuar të udhëheq popullin kinez drejt realizimit të përtëritjes së madhe të kombit tonë,” deklaroi Xi, duke bërë thirrje që të dyja vendet të jetësojnë “konsensusin e rëndësishëm” të arritur gjatë këtyre bisedimeve.
Nga ana tjetër, sipas raportimit të medias kineze, Presidenti Trump e ka cilësuar vizitën si “shumë të suksesshme, me rëndësi botërore dhe të pashlyeshme”. Ai iu referua liderit kinez si “një mik i vjetër”, për të cilin gëzon një “respekt të jashtëzakonshëm”, transmeton BBC.
“Jam i gatshëm të mbaj një komunikim të sinqertë dhe të thellë me Presidentin Xi Jinping dhe pres me padurim ta mirëpres atë për një vizitë zyrtare në Uashington,” u shpreh Trump. /BBC/
