Xhudistët e Kosovës rikthehen këtë javë në arenën e garave të mëdha, me ekipin kosovar që do të marrë pjesë në Grand Slamin e xhudos në Budapest.
Garat në kryeqytetin hungarez do të zhvillohen nga e premtja deri të dielën, ndërsa Kosova do të përfaqësohet me pesë xhudistë, të cilët do të kërkojnë rezultate sa më të mira përballë një konkurrence të fortë ndërkombëtare.
Në konkurrencën e meshkujve, Akil Gjakova dhe Dardan Cena do të garojnë në kategorinë deri në 73 kilogramë.
Ndërkohë, te femrat, Kosovën do ta përfaqësojnë Fatjona Kasapi në kategorinë deri në 52 kilogramë, Flaka Loxha në 57 kilogramë dhe Laura Fazliu në kategorinë deri në 63 kilogramë.
Në këtë garë nuk do të paraqitet Distria Krasniqi, e cila do të mungojë për shkak të një lëndimi.
Ekipi kosovar në Budapest do të drejtohet nga kryemjeshtri Driton Kuka, ndërsa synimi mbetet sigurimi i medaljeve, edhe pse përballë do të jenë disa prej xhudistëve më të mirë në botë.
Në Grand Slamin e Budapestit do të marrin pjesë gjithsej 513 xhudistë nga 70 shtete, duke e bërë këtë një prej garave më të forta të kalendarit ndërkombëtar të xhudos.
Përfaqësuesit e Kosovës synojnë të dëshmojnë edhe një herë potencialin e tyre në skenën ndërkombëtare dhe të rikthehen nga Budapesti me medalje.
D.L
