Java e 23-të e Superligës së Kosovës në futboll hapet sot (e premte) me dy duele mjaft interesante.
Të shtunën do të zhvillohen dy ndeshje të tjera, kurse kjo xhiro do të mbyllet të dielën me një takim. Pretendenti për titull, Ballkani, do të jetë nikoqir i Drenicës në stadiumin e qytetit në Suharekë, në njërën prej ndeshjeve që luhen të premten.
Ekipi që po drejtohet nga trajneri Bledi Shkëmbi, Ballkani, vjen pas disfatës nga Llapi në Podujevë, e cila bëri që ta humbë edhe vendin e parë në renditje, ndërsa Drenica në këtë takim futet pas barazimit në shtëpi me Gjilanin.
Ndeshja tjetër e së premtes do të luhet në Brestovik të Pejës. Besa që është e fundit në tabelë do të jetë nikoqir i Trepçës ’89. Skuadra pejane e ka vetëm një fitore në këtë kampionat deri më tani dhe atë pikërisht kundër Trepçës ’89 (2:1).
Besa, që vazhdon të mbetet e fundit në renditje me vetëm shtatë pikë, në duelin e javës së shkuar humbi si mysafire e Dritës me rezultat 3:1.
Nga humbja vjen edhe Trepça ’89, e cila në shtëpi u mposht nga Prishtina 2:1. “Minatorët” renditen në pozitën e pestë me 28 pikë.