Autoritetet xhamajkane kanë sekuestruar kokainë me vlerë rreth 80 milionë dollarë në një nga kapjet më të mëdha të drogës në vend.
Zyrtarët zbuluan dërgesën e fshehur brenda një anijeje mallrash në portin e Kingston vonë të shtunën, tha Forca Konstabulare e Xhamajkës.
Policia tha se nga kontrolli i anijes së mallrave që kishte ardhur nga Amerika e Jugut, u gjetën më shumë se 1500 kg kokainë, e cila ishte ndarë në 50 thasë që përmbanin 1250 pako.
Xhamajka është përdorur prej kohësh si një qendër nga organizatat kriminale transnacionale për të lëvizur armë dhe drogë, përfshirë dërgimin e kokainës në Amerikën e Veriut dhe Evropë.
Forca e Mbrojtjes së Xhamajkës tha se do të vazhdojë të luftojë kundër kriminelëve që kërkojnë të “përfitojnë nga rëndësia gjeostrategjike e Xhamajkës në tregtinë botërore duke shfrytëzuar ngarkesat legjitime”.
Ende nuk është identifikuar se kush është pronari dhe asnjë arrestim nuk është bërë./UBTNews/