Mesfushori shqiptar, Granit Xhaka, është një nga kandidatët për çmimin prestigjioz të ‘Topit të Artë’. Ky është një moment i jashtëzakonshëm për futbollistin që ka shkëlqyer gjatë një sezoni spektakolar me Bayer Leverkusen.
Kjo është hera e parë që Xhaka është nominuar për këtë çmim të rëndësishëm në futbollin ndërkombëtar, një arritje që tregon suksesin e tij të jashtëzakonshëm në arenën europiane.
Ceremonia e ndarjes së ‘Topit të Artë’ do të mbahet më 28 tetor në Paris. Aty, personalitete të njohura nga bota e futbollit do të mblidhen për të nderuar më të mirët e vitit. Pjesë e garës për çmimin e këtij viti janë gjithashtu yje të tjerë të futbollit, përfshirë Vinicius Jr dhe Jude Bellingham të Real Madridit, si dhe Rodri i Manchester City-t, të cilët gjithashtu konsiderohen si favoritë për të fituar çmimin.
Granit Xhaka ka kontribuar në mënyrë të jashtëzakonshme për Bayer Leverkusen gjatë sezonit të fundit, ku ekipi i tij fitoi Bundesligën pa pësuar asnjë humbje. Përveç kësaj, ai ndihmoi që ekipi të fitonte gjithashtu DFB Pokal dhe Superkupën e Gjermanisë, duke shënuar një sezon të paharrueshëm në karrierën e tij./UBTNews/