I kërkuar prej vetë José Mourinhos, ai dukej i destinuar të vishte fanellën e Romës. Në vend të kësaj, e ardhmja e Granit Xhakës duket se është ende në Londër, me fanellën e Arsenalit.
Pas thashethemeve të fundit për qëndrimin e mundshëm në radhët e “Topçinjve”, trajneri Mikel Arteta ka konfirmuar se mesfushori shqiptaro-zviceran do të vazhdojë të luajë në Premier League: “Granit Xhaka do të qëndrojë me ne. Ai është një element themelor i ekipit tonë”.
Ditët e fundit, Arsenali i ka propozuar rinovimin e kontratës Xhakës deri më 30 qershor 2025, me një rregullim të pagës. Klubi londinez ka refuzuar ofertën e Romës prej 12 milionë euro, plus 3 milionë bonuse dhe pret përgjigjen nga mesfushori.
Pas paraqitjeve të shkëlqyera në “Euro 2020” me Zvicrën e Petkovic, Granit Xhaka u kthye me të tjera “valenca” në përgatitjet e Arsenalit. Lojtari i datëlindjes 1992 u kthye në stërvitje me ekipin e Artetas dhe doli në fushë në miqësoren kundër Chelsea.
Duke zëvendësuar Thomas Partey në minutën e 40-të të pjesës së parë, 28-vjeçari shënoi golin e barazimit momental 1-1 me kokë, në minutën e 69-të, duke iu përgjigjur kështu Kai Havertz. Dhe pas rrjetës, Xhaka festoi me ngazëllim dhe plot kënaqësi.
Për statistikë, Tammy Abraham vendosi ndeshjen miqësore midis dy skuadrave të Londrës me “vulën” e tij të minutës së 72-të, duke iu dhënë fitoren kampionëve të Europës, të stërvitur nga Thomas Tuchel.