Sunderland A.F.C. ka arritur objektivin kryesor për këtë edicion në Premier League, duke siguruar 40 pikë pas fitores 1:0 në udhëtim ndaj Leeds United F.C..
Grumbullimi i 40 pikëve ishte synimi i vendosur në fillim të sezonit, shifër që zakonisht konsiderohet e mjaftueshme për të siguruar mbijetesën në elitën e futbollit anglez. Pas 29 xhirove, Sunderland pozicionohet i qëndrueshëm në mesin e tabelës.
Kapiteni i skuadrës, Granit Xhaka, u aktivizua nga minuta e 56-të, duke u rikthyer gradualisht pas një lëndimi që e la jashtë për pesë ndeshje. Pas përfundimit të takimit, Xhaka u shpreh për TNT Sports.
“Synimi ynë ishte 40 pikë. Tani që e kemi arritur, duam më shumë sepse uria është e madhe. Duhet të qëndrojmë modestë dhe t’i marrim ndeshjet një nga një.”
Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e skuadrës si kolektiv, duke veçuar kontributin e Luke O’Nein dhe karakterin e treguar nga të gjithë lojtarët, pavarësisht mungesave të rëndësishme në ekip.
Paraqitja e Sunderlandit u vlerësua edhe nga mediumi prestigjioz BBC, i cili theksoi ndikimin e menjëhershëm të Xhakës në lojë. Sipas BBC-së, skuadra u përmirësua dukshëm pas hyrjes së mesfushorit, duke e cilësuar atë si transferimin me ndikimin më të madh këtë sezon falë përvojës dhe lidershipit të tij.
Deri në përfundim të sezonit në Premier League kanë mbetur edhe nëntë xhiro, ndërsa Sunderland synon të vazhdojë formën pozitive dhe të ngjitet edhe më lart në renditje.
