Granit Xhaka nuk do të largohet nga Sunderlandi këtë verë. Trajneri i skuadrës angleze, Regis Le Bris, ka hedhur poshtë zërat për një transferim të mesfushorit shqiptar te Chelsea, duke theksuar se e ardhmja e tij është në “Stadium of Light”.
Xhaka ishte përfolur si një objektiv i Chelseat, ku trajneri Xabi Alonso synonte të ribashkohej me ish-lojtarin e tij nga koha te Bayer Leverkuseni. Megjithatë, bisedimet mes klubeve nuk prodhuan marrëveshje dhe çështja është mbyllur.
“Nuk ka asgjë të re për Granit Xhakën te Chelsea. Kjo çështje është e mbyllur. Ai ka qenë shumë i qartë për të ardhmen e tij. E do Sunderlandin, dëshiron të qëndrojë këtu dhe të ndërtojë të ardhmen me këtë klub. Është një kapiten i mirë dhe një lider i madh”, deklaroi Le Bris.
Edhe vetë Xhaka konfirmoi se nuk ka ndërmend të ndryshojë skuadër.
“Sunderlandi ka qenë shtëpia ime që nga dita e parë. Të gjithë jemi shumë të lumtur. Kam vendosur të qëndroj aty ku jam. Gjëja më e rëndësishme është familja. Jam gati të bëj histori me këtë klub”, u shpreh mesfushori 33-vjeçar.
Xhaka iu bashkua Sunderlandit verën e kaluar nga Bayer Leverkuseni, duke u rikthyer në Premier League pas periudhës së suksesshme me Arsenalin.
Në sezonin e tij të parë me Sunderlandin, ai zhvilloi 36 ndeshje, shënoi një gol dhe dha një kontribut të rëndësishëm në suksesin e skuadrës, e cila siguroi një vend në Ligën e Evropës për sezonin e ardhshëm.
D.L
