Kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka, dhe bashkëlojtari i tij Ricardo Rodriguez kanë tërhequr vëmendjen e mediave zvicerane pas një momenti interesant gjatë qëndrimit të Kombëtares helvetike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Futbollistët zviceranë ndoqën një ndeshje bejsbolli në San Diego, ku në një moment u shfaqën në ekranin gjigant të stadiumit. Pikërisht atëherë, Xhaka dhe Rodriguez realizuan gjestin e shqiponjës dykrenare, simbol që lidhet ngushtë me shqiptarët.
Ky veprim nuk kaloi pa u vënë re nga mediat zvicerane. Mediumi Bluewin i kushtoi vëmendje të veçantë momentit, duke e lidhur gjestin me prejardhjen shqiptare të disa futbollistëve të përfaqësueses së Zvicrës dhe me rastet e mëparshme kur simboli i shqiponjës ka qenë në qendër të diskutimeve.
Lidhur me këtë situatë reagoi edhe Federata Zvicerane e Futbollit, e cila sqaroi rrethanat e gjestit dhe theksoi lidhjen e fortë që disa prej lojtarëve kanë me komunitetin shqiptar.
“Edhe në ndeshjen ndaj Australisë, një numër i madh tifozësh me rrënjë shqiptare ishin të pranishëm në stadium dhe mbështetën me entuziazëm Granit Xhakën dhe Kombëtaren e Zvicrës. Pas ndeshjes, Xhaka dhe disa lojtarë të tjerë ndanë autografe dhe realizuan fotografi me tifozët”, thuhet në komunikatën e federatës.
Federata shtoi se kapiteni zviceran shfrytëzoi rastin edhe më vonë për të përshëndetur komunitetin shqiptar.
“Në mbrëmje ai shfrytëzoi mundësinë për të përshëndetur sërish komunitetin shqiptar. Kjo nuk ndodhi në fushë dhe nuk ishte pjesë e ngjarjes sportive”, theksohet në reagimin e Federatës Zvicerane.
Xhaka, i cili prej vitesh mbetet një nga figurat më të rëndësishme të futbollit zviceran dhe një nga sportistët shqiptarë më të suksesshëm në arenën ndërkombëtare, vazhdon të gëzojë mbështetje të madhe nga komuniteti shqiptar kudo që luan.
