UBT News

Xhaka dhe Embolo rikthehen te Zvicra, mesfushori shqiptar mbetet kapiten

Granit Xhaka dhe Breel Embolo pritet të rikthehen në radhët e Kombëtares së Zvicrës gjatë muajit nëntor, pasi Federata Zvicerane e Futbollit (SFV) ka vendosur t’i japë fund pezullimit të tyre lidhur me çështjen e certifikatave të falsifikuara të COVID-19.

Federata njoftoi të martën se, pas shqyrtimit të plotë të të dy rasteve, nuk ekzistojnë më pengesa për rikthimin e futbollistëve në ekipin kombëtar.

Xhaka dhe Embolo kishin munguar në katër ndeshjet e Ligës së Kombeve gjatë muajve shtator dhe tetor, si pasojë e pezullimit.

“SFV i ka shqyrtuar tërësisht të dy rastet dhe ka arritur në përfundimin se rikthimi i lojtarëve është i arsyeshëm, pas përfundimit të procedurave ligjore dhe duke marrë parasysh pasojat sportive, përkatësisht mungesën në katër ndeshje ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e federatës.

Drejtori i Kombëtares së Zvicrës, Pierluigi Tami, ka sqaruar se vendimi është marrë duke vlerësuar rrethanat individuale të secilit futbollist, përfundimin e procedurave ligjore dhe pasojat sportive të pezullimit.

Një tjetër vendim i rëndësishëm lidhet me Granit Xhakën, i cili do të vazhdojë ta mbajë shiritin e kapitenit të Zvicrës.

Sipas federatës, përzgjedhësi, stafi teknik dhe këshilli i lojtarëve kanë vendosur njëzëri që mesfushori shqiptar të vazhdojë të udhëheqë ekipin kombëtar.

Me këtë vendim, Zvicra pritet të ketë sërish në dispozicion dy futbollistët e saj të rëndësishëm për ndeshjet ndërkombëtare të muajit nëntor.

D.L

Exit mobile version