UBT News

Xhaka cilësohet “lojtar i përkryer”, transferimi i tij ndryshoi Sunderlandin

Mesfushori shqiptar Granit Xhaka po vazhdon të marrë vlerësime të mëdha në Premier League, teksa është cilësuar si “lojtar i përkryer” nga drejtori sportiv i Sunderland AFC, Florent Ghisolfi.

Sipas Ghisolfit, bindja e Xhakës për t’iu bashkuar Sunderlandit nga Bayer Leverkusen ishte moment kyç për klubin anglez në prag të rikthimit në elitën e futbollit anglez. Ai theksoi se ardhja e kapitenit të Zvicrës e bëri klubin shumë më tërheqës në tregun e transferimeve.

“Graniti ishte një transferim shumë i rëndësishëm për ekipin, klubin dhe komunitetin. Pas ardhjes së tij, u bë shumë më e lehtë të bindnim lojtarët e tjerë që t’i bashkoheshin projektit”, u shpreh Ghisolfi.

Drejtori francez, i cili më parë ka punuar te AS Roma dhe OGC Nice, nuk kurseu lavdatat për mesfushorin 33-vjeçar.

“Kam menduar gjithmonë se lojtari i përkryer nuk ekziston, por tani e di se Graniti është. Ai është i jashtëzakonshëm si lojtar dhe si lider. Vlerat e tij përputhen me ato të klubit dhe komunitetit tonë”, theksoi ai për BBC.

Ghisolfi zbuloi gjithashtu se Xhaka kishte shfaqur menjëherë dëshirën për t’iu bashkuar Sunderlandit, duke e bërë të qartë vendimin e tij që në minutat e para të bisedimeve.

Në aspektin sportiv, Xhaka ka pasur një sezon të qëndrueshëm, duke regjistruar 27 paraqitje në Premier League, me një gol dhe pesë asistime. Megjithatë, ndikimi i tij në organizimin e lojës dhe udhëheqjen e skuadrës vlerësohet edhe më i madh.

Si kapiten, ai po e udhëheq Sunderlandin drejt një kampanje solide, me ekipin që aktualisht renditet në vendin e 11-të me 43 pikë, duke mbajtur gjallë shpresat për një vend në garat evropiane.

Megjithatë, mungesa e tij për disa javë në janar dhe shkurt për shkak të lëndimit ndikoi ndjeshëm te skuadra, e cila humbi pikë të rëndësishme në atë periudhë.

Sunderlandi do ta zhvillojë ndeshjen e radhës të dielën në shtëpi ndaj Tottenham Hotspur, në një tjetër test të rëndësishëm për objektivat e sezonit.

Exit mobile version