UBT News

Xhafaj: Femrat duhet të insistojnë për trashëgiminë e pronës

Barazia gjinore edhe sot mbetet ndër problemet sociale më të përhapura anembanë botës, gjë që rrjedhimisht shkakton jostabilitet shoqëror.

Ky fenomen në shoqërinë tonë buron nga e kaluara, kur mashkulli kishte të drejta autoritare, dhe kur e drejta zakonore trajtonte rolin e gruas më shumë si nevojë për riprodhim biologjik, shërbim dhe edukim të fëmijëve.

Dekanja e fakultetit të Juridikut në UBT, Jorida Xhafaj, për portalin UBTNEWS ka thënë se pabarazitë ndaj femrave shprehen në forma të ndryshme në shoqëri.

“Sa më shumë emancipohen shoqëritë, sa më shumë të rritet niveli i arsimimit dhe ndërgjegjësimit, do të ketë përpjekje për të zvogëluar këtë problematikë sociale, sepse duke ndërvepruar do të kemi rezultate”, tha ajo.

Tutje, Xhafaj ka diskutuar për çështjen e të drejtave të trashëgimisë nga ana e femrave e që si problem ka vite që po trajtohet. Shumë organizata, tryeza diskutimi mbahen për mbrojtjen e të drejtave për trashëgiminë me qëllim të ngritjes së vetëdijes së shoqërisë mbi atë se edhe femrat duhet të të gëzojnë pasurinë e tyre.

“E drejta në trashëgimi vjen si një e drejtë e çdo vajze, e çdo nëne, apo motre për të trashëguar paraardhësin e saj, dhe të jetë e barabartë me anëtarët e tjerë të familjes. Por jemi përballë dy situatave të ndryshme: ka raste kur bëhet diskriminim nga familja, por ka edhe raste kur femrat vullnetarisht heqin dorë nga marrja e pasurisë nga familja, sepse prona ndjek njeriun, jo njeriu pronën”, deklaroi Xhafaj.

E pyetur se sa janë të informuara femrat mbi ligjet dhe këshillat juridike mbi të drejtat e tyre, ajo tha se dita-ditës po ka më tepër interesim mbi këto tema.

“Kjo dallon mbi dy kritere, pra atë të vendbanimit. Në zonat urbane informimi dhe ndërgjegjësimi është më i lartë, kurse në zona rurale është më i ulët, dhe dallon mbi bazë edukimi”, u shpreh Xhafaj.

Ndonëse vitet e fundit po bëhet përpjekje e vazhdueshme për barazi gjinore, hulumtime dhe analiza të ndryshme të bëra në Kosovë flasin për mospjesëmarrje të barabartë në tregun e punës në mes të femrave dhe meshkujve në fushën e biznesit, por duket se kjo dukuri ka filluar të ndryshojë.

“Pjesëmarrja e femrave në punë është më e vogël në krahasim me meshkujt, por që ka filluar të rritet me 2.1, 2.4 % e që është shumë pozitive. Ka pasur një rritje të ndjeshme të aktivizimit të grave në biznese apo sipërmarrje. UBT po ashtu para periudhës pandemike zhvillonte aktivitete si në festën e 8 marsit, shënimin e ndonjë suksesi në cilëndo fushë. Pra nuk do të thotë të jesh vetëm e arsimuar, por edhe unike, me angazhime në atë që e bëjnë më së miri”, u shpreh ajo.

Megjithatë në Republikën e Kosovës ekziston ligji për barazi gjinore, i cili specifikon përfaqësimin e barabartë gjinor në të gjitha institucionet, dhe si të tilla gratë në Kosovë duhet të përfaqësojnë 50% të fuqisë punëtore në institucione publike./UBTNews

Exit mobile version