UBT News

Xavi: Udhëtojmë drejt Bayernit vetëm për fitore

Trajneri i ri i Barcelonës Xavi nuk ka qenë i kënaqur me ndeshjen e mbrëmshme kundër Benficas në Ligën e Kampionëve, në të cilën të dy skuadrat barazuan me rezultat 0:0.

“Blaugranët” dështuan që të sigurojnë biletën drejt fazës eliminatore të kësaj gare, pavarësisht një paraqitjeje ku u treguan dominues në të gjithë ndeshjen, përcjell KosovaPress.

Sidoqoftë, Xavi tani është bërë trajneri i 13 në histori të Barcelonës që nuk pëson humbje në ndeshjen e tij të parë në Ligën e Kampionëve.

Pas barazimit mbrëmë, Barcelonës i duhet ta mposhtë Bayernin në “Allianz Arena” për të siguruar kualifikimin tutje, dhe tani trajneri Xavi ka insistuar që do të udhëtojnë drejt gjigandit gjerman me një mentalitet pozitiv.

“Ne ishim më shumë superiorë se Benfica. Nëse do të kishim shënuar ne do të ishim tani duke folur për një ndeshje të mirë. Ne e marrim këtë pikë që do të thotë shumë. Kemi edhe një xhiro, dhe duhet të shkojmë drejt Gjermanisë për fitore”, tha Xavi.

“Ne kemi vetëm një gol në dy ndeshje që prej se jam trajner, dhe e kemi shënuar nga penalltia. Është e qartë që duhet të jemi më efektiv. Duhet të shkojmë drejt Munichut vetëm për të fituar, ne jemi Barcelona”, shtoi trajneri i “Blaugranëve”.

Pas ndeshjes së mbrëmshme, Barcelona tani renditet në vendin e dytë me vetëm shtatë pikë, dy sosh larg vendit të tretë dhe kundërshtarit të mbrëmshëm Benficas që zë vendin e tretë në Grupin E.

Exit mobile version