Trajneri i Barcelonës, Xavi thotë se dyshja e mesfushës Gavi dhe Pedri janë më të mirë se ai dhe legjenda e “Blaugranëve”, Andres Iniesta, në moshën 20 vjeçare.
Gavi dhe Pedri ishin titullarë të padiskutueshëm në ndeshjet e Spanjës në Kupën e Botës në Katar, ndërsa janë edhe pjesë kyçe për liderin e La Ligas që prej ardhjes së Xavit vitin e kaluar.
Marrëdhënia e fortë dhe telepatike e dyshes ka tërhequr krahasime me partneritetin e vetë Xavit me Iniestan, ku këta të fundit përjetuan sukses të jashtëzakonshëm në nivel klubesh dhe me kombëtare.
Sidoqoftë, duke folur për kanalin zyrtarë të Barcelonës, Xavi tha se dyshja aktuale e mesfushës ka përparuar më shumë se ai dhe Iniesta në moshën 20 vjeçare.
“Unë dhe Iniesta në moshën 20 vjeçare nuk kemi qenë në nivelin e Pedrit dhe Gavit. Mënyra se si Gavi lufton, pasionin që e ka ai, ne nuk ishim në nivelin që ai është tani”, tha Xavi.
“Ne kemi shumë lojtarë të rinj, Eric Garcia, Pedri, Ansu Fati, Gavi, Franki De Jong është i ri po ashtu. Ne kemi në Barcelonë për të tashmen dhe për të ardhmen”, shtoi më tej trajneri i Barcelonës.
Barcelona zë vendin e parë në La Liga, dy pikë më shumë se rivali i përbetuar Real Madridi, duke fituar 12 nga 14 ndeshjet e këtij sezoni.