UBT News

Xavi: Ndeshja Barcelona-Napoli duhet të luhej në Ligën e Kampionëve

Trajneri i Barcelonës, Xavi Hernandez ka pranuar se ai mund të bëjë ndryshime në skuadrën e tij kundër Napolit nesër, megjithëse, sipas tij, kjo ndeshje mund të luhej në Ligën e Kampionëve”.

“Katalanasit” po përgatiten të presin skuadrën e Luciano Spallettit në “Nou Camp” në ndeshjen e parë të raundit eliminator të Europa League nesër.

Barcelona barazoi 2-2 në derbi kundër Espanyolit fundjavën e kaluar dhe skuadra është kritikuar shumë këtë sezon, pasi ka dështuar për të konkurruar për titullin e ligës spanjolle. Për momentin, ata janë në vendin e katërt në tabelën e La Ligas, me pikë të barabarta me Atletico Madridin.

“Kritika është normale për një ekip si Barcelona, ata më ndihmuan të përmirësohem si futbollist”, tha Xavi në një konferencë për shtyp.

“Ne nuk kemi një formacion fiks. Çdo lojtar është i dobishëm, të gjithë kanë luajtur vazhdimisht, pothuajse të gjithë. Eric dhe Busquets janë dy lojtarë vendimtarë, por nesër mund të jetë një ditë e mirë për të pushuar Busquets, ose ndoshta të dielën. Është e qartë se ai nuk mund të luajë çdo ndeshje. Ne do të bëjmë ndryshime, por do të përpiqemi të jemi konkurrues”, theksoi spanjolli.

Ai e ka vlerësuar Napolin si një skuadër shumë të fortë dhe ka shtuar se nuk e sheh fare Barcelonën si skuadër favorite në këtë takim.

“Napoli është në një nivel të Ligës së Kampionëve, kjo ndeshje mund të ishte luajtur në Champions, ata janë një ekip i shkëlqyer. Ata kanë lojtarë të rëndësishëm si Matteo Politano dhe Hirving Lozano, i cili është një futbollist i madh”.

A është Barcelona favorit për të fituar Ligën e Evropës?

“Nuk do të thosha se ne jemi favoritë. Ne do të përballemi me një kundërshtar të vështirë dhe Sevilla ka shumë më tepër përvojë se ne në garë. Jemi në mesin e kandidatëve, por jo të favorizuarit”, pranoi Xavi në fund.

Exit mobile version