UBT News

Xavi i thotë skuadrës së Barcelonës se duhet të kenë më shumë besim në vetvete

Udhëheqja e Xavit si trajner i Barcelonës filloi të martën.

Legjenda spanjolle zbarkoi në stërvitje herët në mëngjes për të takuar lojtarët e skuadrës së tij që nuk janë ftuar nga kombëtaret e tyre dhe për të folur me ta së bashku me presidentin Joan Laporta.

Xavi ka marrë drejtimin e Barcelonës dhe tashmë ka bërë të ndihet prania e tij. Trajneri 41-vjeçar bëri seancën e tij të parë stërvitore dje duke mbërritur dy orë e gjysmë më herët në “Ciutat Deportiva” për të filluar aventurën e tij në klub, përcjellë KosovaPress.

Që në takimin e parë, “Marca” raporton se Xavi ka prezantuar rregulla strikte para lojtarëve që në asnjë mënyrë nuk duhet të thyhen dhe ka kërkuar prej tyre rritjen e standardit në të gjitha nivelet.

“Duhet të besoni në veten tuaj”, tha Xavi para se t’u kërkonte lojtarëve të kenë shumë intensitet dhe përpjekje.

“Ajo që ndodhi në Vigo [kundër Celta Vigos] nuk mund të ndodhë me ju. Duhet të jeni gjithmonë vigjilent; nuk mund të hyni në pjesën e parë me 3-0 epërsi dhe të përfundoni duke barazuar”, vazhdoi ai.

Debutimin e tij si trajner i Barcelonës Xavi do ta bëjë kundër Espanyolit më 20 nëntor

Exit mobile version