William Baeten është njëri prej futbollistëve më të paguar në futbollin kosovar, të paktën sipas shifrave të publikuara nga mediumi rumun ProSport.
Futbollisti belg, i cili iu bashkua Dritës në verën e vitit 2026, raportohet se përfiton rreth 12 mijë e 500 euro në muaj.
Nëse kjo shifër është e saktë, Baeten përfiton rreth 150 mijë euro në vit vetëm nga paga bazë, pa përfshirë bonuset dhe përfitimet e tjera që mund të jenë pjesë e marrëveshjes me klubin gjilanas.
Belgu 29-vjeçar iu bashkua Dritës pas një karriere me disa ndalesa, fillimisht në futbollin rumun e më pas në atë shqiptar.
Ai ishte transferuar te FCSB nga FCU Craiova për rreth 300 mijë euro, por nuk arriti të sigurojë një rol të rëndësishëm në skuadrën rumune dhe u largua pas vetëm një viti, pa kompensim transferimi.
Pas aventurës në Rumani, Baeten nënshkroi me Flamurtarin në Shqipëri, por qëndrimi i tij zgjati vetëm rreth gjashtë muaj. Në fillim të vitit 2026, ai u largua nga klubi shqiptar për të vazhduar karrierën në Kosovë, ku iu bashkua Dritës.
Emri i mesfushorit belg ishte përmendur edhe në mediat rumune për shkak të një kontesti financiar me ish-klubin FCSB dhe pronarin e tij, Gigi Becali.
Më 23 shtator 2026, FIFA i kishte shqiptuar klubit rumun ndalesë për regjistrimin e futbollistëve në tri afatet e ardhshme kalimtare, për shkak të një borxhi prej rreth 50 mijë eurosh ndaj Baetenit.
Megjithatë, FCSB më pas e shlyeu detyrimin financiar ndaj futbollistit, duke e zgjidhur çështjen që kishte sjellë sanksionin. Kështu, Baeten arriti të marrë shumën që i takonte nga ish-klubi.
Ndërkohë, aventura e tij te Drita është shoqëruar edhe me vështirësi. Pasi kishte nisur të luante rregullisht, belgu pësoi një dëmtim muskulor që e mbajti jashtë fushave për rreth dy muaj.
Ai mungoi në pesë ndeshje, ndërsa në dy përballjet e fundit ishte në bankën rezervë, por nuk u aktivizua.
Deri më tani, Baeten ka regjistruar 11 paraqitje me Dritën në të gjitha garat, duke kontribuar me dy asistime.
D.L
