Aktori i njohur Will Ferrell është detyruar të marrë një pushim të papritur nga xhirimet e serialit të tij të ri komik për Netflix, pasi ka pësuar një lëndim.
Megjithëse incidenti nuk ka ndodhur gjatë xhirimeve, prodhimi është pezulluar përkohësisht deri në shërimin e tij.
Sipas burimeve, Ferrell është lënduar jashtë sheshxhirimit dhe nuk ka mundur të marrë pjesë në skenat e planifikuara këtë javë, të cilat duhej të realizoheshin në një kazino pranë Los Angeles.
Natyra e saktë e dëmtimit nuk është bërë publike, por mësohet se nuk është asgjë serioze. “Bëhet fjalë për një dëmtim të vogël, dhe Will pritet të rikthehet shumë shpejt në xhirime, sapo të marrë lejen mjekësore”, raportoi TMZ.
Në serialin e ri, ende pa titull, Ferrell luan rolin e një “legjende fiktive të golfit”, ndërsa në ekran përballet me aktorin Luke Wilson, i cili interpreton një lojtar tjetër profesionist të golfit që e ka mposhtur dy herë në turne madhore. /A.Z/UBT News/
