Sipas analizës së Programit Botëror të Ushqimit (WFP) të publikuar të martën, dhjetëra miliona njerëz të tjerë do të përballen me uri akute nëse lufta në Iran vazhdon deri në qershor, raporton Reuters.
Sulmet amerikano-izraelite ndaj Iranit, që nisën më 28 shkurt, kanë bllokuar rrugët kryesore të ndihmës humanitare, duke vonuar dërgesat jetike për disa nga krizat më të rënda në botë.
Zëvendësdrejtori Ekzekutiv i WFP-së, Carl Skau, u tha gazetarëve në Gjenevë se parashikohet që edhe 45 milionë njerëz të tjerë të bien në uri akute si pasojë e rritjes së kostove të ushqimit, naftës dhe transportit. Kjo do ta çonte numrin global mbi nivelin rekord aktual prej 319 milionë njerëzish.
“Kjo do t’i çonte nivelet globale të urisë në një rekord historik dhe është një perspektivë e tmerrshme,” tha ai.
“Edhe para kësaj lufte, ne ishim në një ‘stuhi të përsosur’ ku uria nuk ka qenë kurrë aq e rëndë sa tani, si në numra, ashtu edhe në thellësinë e saj,” shtoi ai.
Skau tha se kostot e transportit janë rritur me 18% që nga fillimi i sulmeve më 28 shkurt dhe se disa dërgesa është dashur të ridrejtohen. Ai shtoi se këto kosto shtesë vijnë krahas shkurtimeve të thella të shpenzimeve nga WFP, ndërkohë që donatorët po fokusohen më shumë te mbrojtja. /Reuters/
