UBT News

Wenger vlerëson FFK-në për themelimin e “FIFA Talent Academy Kosova”

Screenshot

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka pranuar një letër falënderimi dhe vlerësimi nga Shefi i Zhvillimit Global të Futbollit në FIFA, Arsène Wenger.

Në letrën drejtuar presidentit të FFK-së, Wenger ka vlerësuar lart angazhimin, përkushtimin dhe bashkëpunimin e federatës kosovare në procesin e themelimit të “FIFA Talent Academy Kosova”.

Wenger ka theksuar se përkushtimi i FFK-së ka qenë thelbësor në avancimin e kësaj nisme, ndërsa eventin e mbajtur në Prishtinë e ka cilësuar si një dëshmi të profesionalizmit, organizimit dhe pasionit për zhvillimin e futbollit.

“Eventi historik i mbajtur në Prishtinë është dëshmi e profesionalizmit tuaj, përsosmërisë organizative dhe pasionit për zhvillimin e futbollit”, ka shkruar Wenger.

Ai ka vlerësuar gjithashtu mbështetjen dhe burimet e ofruara nga FFK-ja gjatë gjithë procesit, duke nënvizuar rolin e Kosovës në zhvillimin dhe kultivimin e talenteve të rinj.

Sipas Wengerit, kjo nismë mund të shërbejë edhe si standard për vendet e tjera, ndërsa FIFA pret që partneriteti me FFK-në të forcohet edhe më tej.

“Me kënaqësi presim që ta forcojmë edhe më tej partneritetin tonë, ndërsa ecim përpara në këtë kapitull të ri dhe emocionues. Së bashku, mund të vazhdojmë të ndërtojmë një trashëgimi të qëndrueshme për futbollin në Kosovë dhe më gjerë”, thuhet në letrën e tij.

Në fund të letrës, Wenger ka falënderuar FFK-në për kontributin e saj në krijimin e mundësive për talentet e rinj në Kosovë.

D.L

Exit mobile version