Shefi i zhvillimit global të futbollit në FIFA, Arsene Wenger, ka mbështetur vendimin për të tërhequr planin e presidentit Gianni Infantino për përfshirjen e investitorëve privatë në garat e FIFA-s, duke e cilësuar atë si “absolutisht të nevojshëm dhe të padiskutueshëm”.
Infantino kishte propozuar krijimin e një dege tregtare që do të menaxhonte ngjarjet kryesore të FIFA-s, përfshirë Kupën e Botës, me mundësinë që investitorë të jashtëm të blinin aksione. Për të siguruar mbështetjen e federatave anëtare, presidenti i FIFA-s kishte ofruar nga 40 milionë dollarë për secilën prej 211 federatave kombëtare.
Megjithatë, plani u përball me kritika të ashpra nga shumë palë, përfshirë UEFA-n, e cila, sipas raportimeve, paralajmëroi se 55 federatat e saj anëtare mund të bojkotonin turnetë e FIFA-s. Përballë këtij presioni, Infantino u detyrua të tërhiqte projektin.
Wenger, i cili është pjesë e FIFA-s që nga viti 2019 dhe merret me zhvillimin global të futbollit, analizën e të dhënave, programet e trajnerëve dhe garat e të rinjve, tha se nuk kishte qenë i përfshirë në hartimin e këtij plani.
“Ngjarjet e fundit në FIFA meritojnë qartësi nga ana ime. Nuk isha i përfshirë në këtë plan strategjik dhe për projektin mësova fillimisht nga raportimet në media. Vendimi për tërheqjen e tij ishte absolutisht i nevojshëm dhe i padiskutueshëm, sepse besoj fuqishëm në një FIFA të pavarur që i shërben futbollit me përkushtim, transparencë dhe integritet”, thuhet në deklaratën e Wengerit.
Francezi kishte mbështetur më herët edhe idenë e Infantinos për zhvillimin e Kupës së Botës çdo dy vjet, por kësaj radhe u distancua qartë nga projekti i investimeve private.
Wenger ishte një nga 18 zyrtarët e FIFA-s të përmendur në një letër të UEFA-s, me të cilën kërkohej ruajtja e dokumentacionit lidhur me këtë çështje, ndërsa paralajmëroheshin edhe veprime ligjore.
Deri më tani, Carlos Cordeiro, këshilltar i lartë i Infantinos për strategjinë dhe qeverisjen globale, është zyrtari i vetëm që ka dhënë dorëheqje si pasojë e këtij skandali.
Edhe sekretari i përgjithshëm i FIFA-s, Mattias Grafström, i konsideruar një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Infantinos, e ka kritikuar situatën. Në një letër drejtuar stafit të FIFA-s, ai e përshkroi javën e fundit si “të vështirë për t’u kuptuar dhe pranuar”.
D.L
