Kyle Walker do të huazohet në Milan nga Manchester City deri në fund të sezonit, sipas raportimeve të mediave italiane si “Sky Sport”. Mbrojtësi i djathtë anglez pritet të fluturojë drejt Italisë dhe t’i bashkohet skuadrës kuqezi. Pjesë e marrëveshjes janë edhe diskutimet për mundësinë e blerjes së kartonit të tij në fund të sezonit, nëse Walker do të ketë paraqitje të mira gjatë pjesës së dytë të kampionatit.
Milan kishte nevojë për një mbrojtës të djathtë, pasi nuk ishin të bindur me paraqitjet e dy lojtarëve të tyre aktualë në këtë pozitë, Emerson Royal dhe Davide Calabria. Megjithëse Walker është 34 vjeç, ai pritet të ofrojë përvojë dhe stabilitet në mbrojtje, si dhe kontribut në fazën ofanzive për fituesit e Superkupës së Italisë. Walker ka qenë njëri prej mbrojtësve më të mirë në Premierligë gjatë dekadës së fundit, dhe pritet të ndihmojë Milanin në garat e mbetura të sezonit./UBTNews/