Katër herë kampioni i Premier Ligës, Kyle Walker, ka paralajmëruar Arsenalin se do të ketë kthesa në garën për titull, pavarësisht se Manchester City humbi një mundësi të madhe për të ngushtuar diferencën në krye në vetëm dy pikë.
City pësoi humbje 1:0 nga Tottenhami, me Harry Kane që shënoi për të kaluar Jimmy Greaves si golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave të Tottenhamit, dhe kjo do të thoshte që humbja 1:0 e Arsenalit në Everton një ditë më parë mbeti e pandëshkuar në garën për titull, raporton KosovaPress.
Por Walker, kampion i ligës në sezonet 2017/18, 2018/19, 2020/21 dhe 2021/22, ka bërë thirrje për qetësi pasi ai e di se ka ende shumë futboll për të luajtur.
“Sigurisht që është një mundësi e humbur”, tha Walker për “Sky Sports” pas humbjes kundër Tottenhamit.
“Ata humbën pikë dhe ne duhej të merrnim pikë për të mbyllur diferencën, por ka ende shumë futboll për të luajtur”, tha më tej Walker.
Ai shtoi, duke u mbështetur në triumfet e tij të titullit: “Kam qenë këtu shumë e shumë vite në Premier Ligë dhe i di kthesat që mund të ndodhin. Unë e di se për çfarë është ky ekip. Unë e di se çfarë mund të bëjë ky ekip. Ne mund të marshojmë nga tani deri në fund të sezonit dhe vetëm ne duhet ta bëjmë këtë me të vërtetë”.
City ka dominuar ligën në vitet e fundit, pasi ka fituar katër nga pesë titujt e fundit të Premier Ligës.
Por Arsenali, i cili nuk e ka fituar ligën që nga skuadra e tyre “Invincibles” në sezonin 2003/04, po vendos standardet dhe po qëndron pesë pikë përpara me 20 ndeshje të luajtura, një më pak se City.