UBT News

Walker: Ditë e kobshme për Kosovën, vendimi i Hagës me ka mërzitur thellë

Diplomati amerikan në pension, William Walker, e ka cilësuar si “ditë të kobshme” për Kosovën aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Në një prononcim për Klan Kosova, Walker u shpreh i tronditur nga verdikti i sotëm, ndërsa lëshoi kritika të ashpëra ndaj Bashkimit Evropian për pasivitetin e treguar gjatë periudhës së luftës.

“Dua ta pyes Bashkimin Evropian: ku ishit para se të niste lufta, kur serbët i keqtrajtuan në format më mizore kosovarët? Përpos deklaratave, asgjë më serioze. Ju desh NATO-s, Albrightit e Clarkut që të angazhoheshit seriozisht. Kishte dhunime, trajtime mizore”, deklaroi diplomati amerikan.

Walker kontestoi ashpër procesin gjyqësor, duke shprehur shqetësimin se fati i liderëve të UÇK-së po vendoset nga njerëz që nuk e njohin realitetin e Kosovës.

“Ata po mundohen që përmes gjyqtarëve e avokatëve që s’dinë asgjë për Kosovën t’i gjykojnë liderët kosovarë të UÇK-së. Është ditë e kobshme dhe shumë e rëndë. U mërzita shumë me vendimin”, përfundoi Walker.

Exit mobile version