UBT News

VV në Artanë do unitet të partive shqiptare kundër Listës Serbe, deri tash merr mbështetjen e PDK-së

Kryetari i Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Artanë, Abdyl Gashi, ka bërë të ditur që me PDK-në janë dakorduar që të mbështesin një kandidat të përbashkët që vjen nga shoqëria civile në zgjedhjet për kryetar të komunës duke bashkuar kështu forcat kundër Listës Serbe.

Ai, përmes një postimi në Facebook, ka kërkuar edhe nga subjektet e tjera politike mbështetjen e një kandidati të shoqërisë civile.

“Lëvizja Vetëvendosje në Artanë duke u bazuar në specifikat e Komunës së Artanës, ku në qeverisje lokale kemi Listën Serbe. Ne si Lëvizje kemi vlerësuar që një unitet i subjekteve politike shqiptare është shumë i nevojshëm”.

Gashi ka shkruar se i kanë takuar të gjitha subjektet politike në Artanë, por deri më tani kanë marrë mbështetjen vetëm të PDK-së.

“Si kryetar i Qendrës së Lëvizjes në Artanë kam takuar të gjithë përfaqësuesit e subjekteve politike në Artanë për t’u përbashkuar rreth kësaj kauze. Në këto takime Lëvizja VETËVENDOSJE! ka propozuar që të mbështetet një kandidat për Kryetar apo kryetare të Komunës nga shoqëria civile. Deri tani nuk kemi gjetur mbështetje nga subjekte të tjera në përjashtim të Partisë Demokratike të Kosovës”./Klankosova.tv

Exit mobile version