Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ndaj kërkesës së Prokurorisë Speciale për dënime ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e cilësuar atë si një ndërhyrje politike dhe jo si kërkim të drejtësisë.
Sipas VV-së, “kërkesa e prokurorisë për dënime maksimale ndaj ish-krerëve të UÇK-së nuk është një akt për kërkim drejtësie, por një politikë që synon ta përmbysë rendin e së vërtetës”.
E vërteta sipas LVV-së është se “Jugosllavia e Serbisë së Millosheviqit ka kryer gjenocid në Kosovë. UÇK ka luftuar kundër planeve dhe veprimeve gjenocidale duke mbrojtur popullin me gjithë forcën në dispozicion.
Në reagim thuhet se procesi gjyqësor po e zhvendos vëmendjen nga agresori te viktima, duke kriminalizuar rezistencën çlirimtare.
“Këtu nuk po gjykohen individë të shkëputur nga konteksti, por po tentohet të gjykohet vetë akti i çlirimit”, thuhet në deklaratë.
VV-ja thekson se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka pasur kurrë plane për krime kundër njerëzimit, duke argumentuar se “krimet kundër njerëzimit kërkojnë aparat shtetëror dhe mekanizma sistematikë dhune, të cilat UÇK-ja kurrë nuk i ka pasur”.
“Kjo gjykatë nuk erdhi nga një nevojë e brendshme për drejtësi, por nga një projekt ndërkombëtar i ndërtuar mbi raporte politike, presione diplomatike dhe interesa gjeopolitike, ku Rusia, Serbia dhe aleatët e saj kanë pasur rol aktiv. Lëvizja Vetëvendosje e ka kundërshtuar këtë proces që nga fillimi e madje edhe para fillimit, sepse drejtësia nuk mund të jetë selektive, njëetnike dhe e ndërtuar mbi shtrembërimin e historisë. Një drejtësi e tillë nuk shëron plagë, por i thellon ato”, thuhet në reagimin e LVV-së.
Më tej, në reagim thuhet se Serbia ishte pushtuesja dhe ushtruesja e dhunës shtetërore, ndërsa populli shqiptar viktimë e saj.
Në fund, Lëvizja Vetëvendosje rithekson qëndrimin e saj se “çlirimi nuk është krim, rezistenca nuk është ndërmarrje kriminale dhe historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet nga aktakuza që i shërbejnë narrativës së agresorit”.
