Mbrëmjen e së dielës në fshatin Vitomiricë të Pejës u vra një grua, ndërsa i dyshuar kryesor për vrasjen është kunati i saj, i cili ndodhet në arrati dhe dyshohet se e ka qëlluar për vdekje me sëpatë.
Rreth orës 19:00, Stacioni Policor në Pejë u njoftua për një rast të dhunës në familje në Vitomiricë. Viktima u shoqërua në stacion dhe u intervistua, ndërsa bashkëshorti i saj u arrestua dhe u ndalua për 48 orë.
Pas intervistimit, sipas Policisë, viktima me vullnetin e saj kërkoi të kthehej në shtëpinë e saj në Vitomiricë dhe u dërgua atje.
Rreth orës 21:10, Policia mori informatën se e njëjta u gjet pa shenja jete, e vrarë si pasojë e goditjeve me mjet të fortë, përkatësisht me sëpatë, nga kunati i saj i cili u arratis menjëherë pas ngjarjes. Prokurori i Shtetit doli në vendin e ngjarjes dhe autoritetet nisën hetimet për kapjen e të dyshuarit.
Në aspektin e veprimeve të mëparshme institucionale, Prokuroria Themelore në Pejë njoftoi se më 22 tetor kishte pranuar një parashtresë nga e ndjera A.Z., e cila pretendonte se zyrtarët e institucioneve përgjegjëse kishin dështuar në detyrat e tyre lidhur me rastin e saj dhe moszbatimin e një vendimi gjyqësor për shfrytëzimin e barabartë të shtëpisë.
Kryeprokurorja kishte urdhëruar regjistrimin e parashtresës për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare dhe e kishte përcjellë për trajtim urgjent në Polici, Gjykatë dhe Qendrën për Punë Sociale, ndërsa vendimi gjyqësor për shtëpinë ishte ekzekutuar paraprakisht nga prokurorja kujdestare në bashkëpunim me Policinë.
Lidhur me rastin ka pasur edhe reagime publike, ku avokatja Adelina Hoxha ka akuzuar publikisht institucionet për dështim në mbrojtjen e viktimës, ndërsa Prokuroria ka deklaruar se të gjitha rrethanat dhe veprimet e ndërmarra do të hetohen me seriozitet të plotë profesional e ligjor. /E.A/
