UBT News

Vritet një 40 vjeçar në Ferizaj, Policia e Kosovës arreston të dyshuarin

E përditësuar:

09:55

Policia ka njoftuar se në vendin e ngjarjes kanë gjetur pistoletën dhe 4 gëzhoja dhe se i dyshuari tashmë është në duart e policisë.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, nën dyshimin se i njëjti pas një mosmarrëveshje që kishte me viktimën mashkull kosovar, ka shtënë me armë zjarri në drejtim të tij  dhe për pasojë, viktima ka mbetur pa shenja jete. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor, ndërsa njësitet policore në vendin e ngjarjes kanë gjetur dhe konfiskuar pistoletën dhe 4-gëzhoja që dyshohet se janë shkrepur nga i dyshuari”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.

E në shtëpinë e të dyshuarit është gjetur edhe një pushkë gjuetie.

“Po ashtu gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit është gjetur edhe një pushkë gjuetie, me 72 fishekë cal-12 mm, dhe një pushkë ajrore. Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet më tej në raportin policor duke shtuar se hetimet po vazhdojnë.

09:10

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmë në orët e mbrëmjes në Ferizaj ku në fshatin Balaj të Ferizajt ka ndodhur një vrasje, ku viktimë është një qytetar i moshës 40 vjeçare.

Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli i cili tha se i dyshuari është arrestuar.

“Me datën 15.09.2025 rreth orës 19:42 kemi pranuar një informatë se në fshatin Balaj të Ferizajt ka ndodhur një vrasje. Viktimë është një person mashkull, i moshës rreth 40 vjeç. Policia ka arrestuar të dyshuarin dhe ka sekuestruar një armë zjarri. Rasti është duke u hetuar nga njësitë relevante nën udhëheqjen e prokurorit të shtetit”./S.K/KP/

Exit mobile version