Një person i armatosur, i cili hapi zjarr pranë një pike kontrolli afër Shtëpisë së Bardhë, është vrarë pas shkëmbimit të zjarrit me agjentët e Shërbimit Sekret amerikan, kanë bërë të ditur autoritetet.
Mediat amerikane, përfshirë CBS News, e kanë identifikuar të dyshuarin si Nasire Best, 21 vjeç, i cili sipas raportimeve ishte i njohur për organet e sigurisë dhe kishte histori të dokumentuar të problemeve të shëndetit mendor.
Incidenti ndodhi të shtunën rreth orës 18:00 sipas kohës lokale, kur i dyshuari nxori armën nga çanta dhe filloi të qëllonte pranë Shtëpisë së Bardhë. Agjentët e Shërbimit Sekret reaguan menjëherë duke iu kundërpërgjigjur me armë zjarri dhe e goditën sulmuesin.
Ai u transportua në spital, ku më vonë u shpall i vdekur. Gjatë incidentit mbeti i plagosur edhe një kalimtar i rastit, ndërsa asnjë oficer i sigurisë nuk u lëndua.
Presidenti amerikan, Donald Trump, falënderoi oficerët për, siç tha ai, “veprimin e shpejtë dhe profesional” në neutralizimin e sulmuesit. Në një postim në Truth Social, Trump deklaroi se i dyshuari kishte “një histori të dhunshme dhe një obsesion të mundshëm ndaj strukturës më të çmuar të vendit”.
Sipas Shërbimit Sekret, Trump ndodhej në Shtëpinë e Bardhë në momentin e sulmit, por “asnjë person nën mbrojtje dhe as operacionet nuk u prekën”.
Burime të zbatimit të ligjit thanë për CBS se Best kishte përdorur një revole dhe kishte qenë më herët i njohur edhe për Departamentin Metropolitan të Policisë në Uashington.
Një burim i afërt me hetimin deklaroi se Best kishte tentuar të hynte në Shtëpinë e Bardhë në korrik të vitit 2025, kur ishte arrestuar nga policia pranë objektit. Pas arrestimit, ai kishte kaluar një periudhë në një institucion psikiatrik dhe kishte jetuar në Uashington DC për rreth 18 muaj.
Ngjarja mbetet nën hetim, ndërsa autoritetet kanë paralajmëruar se bllokimet e rrugëve përreth Shtëpisë së Bardhë do të vazhdojnë edhe gjatë natës.
