Një person ka rënë viktimë e një sulmi me armë zjarri të mërkurën në Suharekë, ndërsa autoritetet policore kanë arritur ta arrestojnë të dyshuarin pak kohë pas ngjarjes.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, i cili ka bërë të ditur se pavarësisht përpjekjeve mjekësore, viktima nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve të marra.
Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:20, kur një person ka shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës mashkull. Pas të shtënave, i lënduari është dërguar në gjendje të rëndë shëndetësore në Qendrën Emergjente, ku më pas është konfirmuar vdekja e tij.
I dyshuari fillimisht ishte larguar nga vendi i ngjarjes, por reagimi i shpejtë i Policisë ka bërë të mundur lokalizimin dhe arrestimin e tij. Autoritetet po vazhdojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të rastit.
