UBT News

Arrestohen dy persona për vrasje të rëndë në Ferizaj

Lajm në zhvillim: 

Një 32-vjeçar me inicialet F.H. është gjetur pa shenja jete të dielën rreth orës 22:50, në një banesë në katin e nëntë të një objekti banesor në rrugën “Sejdi Sejdiu” në Ferizaj.

Zëdhënësi i policisë rajonale, Kanun Veseli, bëri të ditur se deri te vrasja ka ardhur pas një përleshjeje ku më pas është përdorur arma e zjarrit. Ekipi mjekësor i spitalit të Ferizajt e ka konstatuar vdekjen e viktimës në vendngjarje, ku gjatë ekzaminimit është vërejtur një plagë që dyshohet se është shkaktuar nga arma e zjarrit. Në cilësinë e provave materiale, policia ka gjetur dhe sekuestruar një pistoletë dhe një gëzhojë.

Sipas hetimeve fillestare, ngjarja ka ndodhur në banesën e të dyshuarit M.B., 48 vjeç. Në momentin e incidentit aty ndodheshin edhe bashkëshortja e tij, si dhe vajza e tij A.R., 24 vjeçe. Kjo e fundit ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Pas ekzaminimit të vendit të ngjarjes nga hetuesit rajonalë, krim-teknikët dhe prokurori i Krimeve të Rënda, rasti po trajtohet si “Vrasje e rëndë”.

Me vendim të prokurorit, të dyshuarit M.B. i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh. Vendim për ndalim prej 48 orësh është lëshuar edhe ndaj 24-vjeçares A.R., e cila po vazhdon trajtimin mjekësor në QKUK nën mbikëqyrjen e policisë.

Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion, ndërsa Sektori i Hetimeve Rajonale po ndërmerr veprime intensive për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.

Vrasje në Ferizaj pas një përleshjeje me armë zjarri

Një burrë ka mbetur i vrarë me armë zjarri të dielën mbrëma në Ferizaj, rreth orës 22:50, në rrugën “Sejdi Sejdiu”.

Lajmin pë Ekonomia Online e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë rajonale, Kanun Veseli, i cili bëri të ditur se ngjarja ka ndodhur pas një përleshjeje.

Sipas tij, në vendngjarje është gjetur pa shenja jete një burrë i moshës madhore, i cili dyshohet se ka marrë plagë nga arma e zjarrit.

Vdekja e viktimës është konfirmuar nga ekipi mjekësor i spitalit të Ferizajt, ndërsa policia po merret me rastin. /Ekonomia Online/ /E.A/

Exit mobile version