Një grua shtatzënë ka mbetur e vdekur dhe bashkëshorti i saj i plagosur nga të shtënat me armë zjarri mbrëmjen e së dielës në fshatin Kërvasari të Malishevës.
Rasti është konfirmuar nga zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Vlera Krasniqi, e cila bëri të ditur se njoftimi për të shtënat me armë zjarri është pranuar rreth orës 23:20. Me të arritur në vendngjarje, njësitë policore kanë gjetur çiftin të plagosur brenda një dhome gjumi, raporton Ekonomia Online.
Të plagosurve u është ofruar ndihma e parë mjekësore në vendngjarje dhe më pas janë transportuar për trajtim të mëtejshëm në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Rreth orës 01:10 të natës, mjekët e QKUK-së kanë njoftuar se viktima femër ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra.
Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes, Policia ka gjetur dhe ka sekuestruar një armë zjarri, e cila dyshohet se është përdorur gjatë kryerjes së aktit.
Në vendngjarje ka dalë edhe prokurori i shtetit, me vendim të të cilit ngjarja është cilësuar dhe iniciuar si “Vrasje e rëndë”. Organet e rendit dhe prokuroria janë duke vazhduar hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivet që çuan në këtë ngjarje. /Ekonomia Online/
