Detaje të reja janë bërë të ditura lidhur me vrasjen e 25-vjeçares shtatzënë në fshatin Kërvasari të Malishevës. Komandanti i stacionit policor në Malishevë, Nazmi Zogaj, ka konfirmuar se arma me të cilën dyshohet se u krye krimi kishte leje dhe i përkiste babait të të dyshuarit.
“Në momentin e marrjes së informatës, njësitë policore dhe ekipet e emergjencës kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes. Për shkak të lëndimeve shumë të rënda, personat janë transportuar me urgjencë për në QKUK në Prishtinë”, deklaroi Zogaj për mediat.
Më tej, komandanti i stacionit sqaroi rrethanat e armës së përdorur në këtë ngjarje: “Dyshohet se arma është me leje dhe është e prindit të dorasit. Prokuroria e ka cilësuar rastin si vrasje të rëndë, ndërsa ne jemi në fazën fillestare të hetimeve për të zbardhur të gjitha rrethanat”.
Sipas Prokurorisë, dyshohet se 25-vjeçarja është vrarë nga bashkëshorti i saj, i cili më pas ka mbetur i plagosur rëndë dhe po vazhdon të trajtohet në gjendje kritike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Hetimet nga organet e rendit po vazhdojnë. /E.A/
