Gjykata Themelore në Prishtinë, edhe në rigjykim për vrasjen e 18-vjeçarit në Podujevë, të miturin e parë e ka dënuar me 10 vjet burgim, kurse të miturin e dytë me 9 vjet burgim.
Kështu ka deklaruar avokati i të dëmtuarve, Tomë Gashi, i cili ka thënë se Gjykata sot ka vendosur të njëjtin dënim për të miturit si në muajin maj.
Tomë Gashi, ka thënë se Gjykata dy të miturit i ka shpallur fajtorë për veprën “vrasje e rëndë”.
“Ka vendosur si herën e kaluar, në majin e këtij viti, duke i shqiptuar dënim njërit në kohëzgjatje prej 10 viteve dhe tjetrit prej 9 vitesh. Me këtë vendim të gjykatës i cili është vendim i përsëritur për shkak se Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim dhe rivendosje vërtetohet se rasti është kthyer në rigjykim për shkaqe teknike krejtësisht formale dhe jo që ka ndryshuar ndonjë gjendje faktike. Gjykata po ashtu i ka shpallur fajtorë për vrasje të rëndë dhe jo sipas pretendimeve të tyre që kinse diçka ka qenë incident momental, gjë që është vërtetuar edhe me video incizime dhe me prova të tjera që gjithçka faktikisht i ka paraprirë një sulmi të mëhershëm dhe Gjykata në prizmin tim ka vendosur drejtë”, ka thënë Gashi.
Po ashtu, sa i përket njërit prej të miturve që është dënuar për 9 vite si përgjegjës, Gashi ka shtuar se do të paraqesin ankesë.
Ndërsa, për dënimin që parashihet me ligj për të miturit, i cili është deri në 10 vite, avokati Tomë Gashi është shprehur se në të ardhmen duhet të ndryshohet ky ligj dhe të bëhen dënime më të ashpra për ata që kryejnë vepra penale të këtij lloji.
“Sa i përket një të mituri i cili është shpallur përgjegjës i është shqiptuar dënimi prej 9 vitesh, besoj se si përfaqësues juridik i palës së dëmtuar do të paraqesim ankesë, këtë mund ta bëjë edhe Prokuroria e Shtetit dhe besojmë që vendimi ka qenë i drejtë, ndërsa sa i përket maksimumit të dënimeve duhet ta dini se maksimumi është në kohëzgjatje prej 10 vitesh… Duhet të mendohet në të ardhmen që të ndryshohen ligjet dhe të jenë më të ashpra, në raport me secilin që me vetëdije të plotë me qëllim të plotë kryejnë vepra kaq të rënda penale, saqë i merret jeta dikujt, këtë rast jeta e një të riu 18 vjeçar, për arsye të thjeshta. Përveç që ka marrë jetën e një të riu ka shkaktuar pasoja të përjetshme për familjet e tyre”, ka shtuar Gashi.
Për kthimin e rigjykimit, Gashi ka theksuar se kjo është “a,b,c-ja” e drejtësisë, dhe sipas tij duket se Gjykata nuk e ka ditur që nuk mund të jetë në të njëjtën kohë edhe si gjyqtare në procedurën paraprake dhe kryetare e trupit gjykues.
“Arsyeja kryesore që është kthyer në rigjykim ka qenë paksa e çuditshme sepse njëri prej anëtarëve të trupit gjykues që ka vendosur në maj të këtij viti paraprakisht ka vepruar si gjyqtar në procedurën paraprake. Që i bie thjeshtë këto janë ‘a b c’ në drejtësi dhe duket se Gjykata nuk e ka ditur që nuk mund të jetë në të njëjtën kohë edhe si gjyqtare në procedurën paraprake dhe kryetare e trupit gjykues”, ka theksuar ai.
Lulzim Fejzullahu, është rrahur me shkop bejsbolli nga dy të miturit me 15 janar të këtij viti dhe është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.
I njëjti nga plagët e rënda, ka ndërruar jetë me 20 janar në QKUK.
Në gjykimin e parë, Departamenti për të Mitur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, më 23 maj 2024 kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj dy të miturve lidhur me vrasjen e 18-vjeçarit në Podujevë. I mituri i parë u dënua me 10 vjet burgim, kurse i mituri i dytë u dënua me 9 vjet burgim.