Përkundër se ishte caktuar të nisë në orën 11:00, seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës ende nuk ka filluar, ndonëse kanë kaluar më shumë se një orë nga orari i paraparë. Deputetët tashmë kanë filluar të mblidhen në sallën plenare dhe nisja e punimeve pritet nga momenti në moment.
Kjo seancë po zhvillohet në një klimë të tensionuar politike, pasi afati kushtetues 30-ditor për konstituimin e Kuvendit skadoi mbrëmë në mesnatë. Shtyrja e procesit përtej këtij afati ka nxitur reagime të ashpra nga partitë opozitare dhe shoqëria civile, të cilët e cilësojnë këtë rrjedhë si shkelje të Kushtetutës.
Gjatë orëve të vona të mbrëmjes së kaluar, përfaqësues të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së qëndruan në Kuvend duke kërkuar përmbylljen e seancës brenda kornizës kohore, ndonëse dyert e sallës plenare ishin të mbyllura. Përkundër përplasjeve, opozita nuk e ka bojkotuar seancën dhe deputetët e saj janë parë duke hyrë në Kuvend.
Zhvillimet në sallë vijnë edhe pas ofertës së djeshme të kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili i propozoi PDK-së postin e kryetarit të Kuvendit në këmbim të sigurimit të kuorumit për zgjedhjen e presidentit të ri.
