Bashkimi Evropian do të vendosë një sërë sanksionesh “masive dhe të synuara” ndaj Rusisë që do të bllokojnë aksesin në “teknologjitë kryesore” dhe do të gjymtojnë aftësinë e vendit për të financuar pushtimin në Ukrainë, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
“Ne do të synojmë sektorët strategjikë të ekonomisë ruse duke bllokuar aksesin e tyre në teknologjitë dhe tregjet kryesore. Ne do të dobësojmë bazën ekonomike të Rusisë dhe kapacitetin e saj për t’u modernizuar. Përveç kësaj, ne do të ngrijmë asetet ruse në BE dhe do të ndalojmë aksesin e bankave ruse në tregun financiar evropian”, tha ajo.
“Ne jemi të lidhur ngushtë me partnerët dhe aleatët. Këto sanksione janë krijuar për të shkaktuar një dëmtim të rëndë mbi interesat e Kremlinit dhe në aftësinë e tyre për të financuar luftën”.
BE ka vendosur tashmë sanksione ndaj 27 individëve dhe subjekteve të afërta me presidentin rus Vladimir Putin dhe 351 ligjvënës të Dumës që votuan për të njohur provincat separatiste Donetsk dhe Luhansk si të pavarura.
Ajo ia hodhi fajin Presidentit Putin për “kthimin e luftës në Evropë”.
“Edhe një herë, në qendër të Evropës, gra, burra dhe fëmijë të pafajshëm po vdesin ose kanë frikë për jetën e tyre. Ne e dënojmë këtë sulm barbar dhe argumentet cinike të përdorura për ta justifikuar atë”, tha ajo me një ton të zymtë.
“Objektivi i Rusisë nuk është vetëm Donbasi, objektivi nuk është vetëm Ukraina, objektivi është stabiliteti në Evropë dhe i gjithë rendi ndërkombëtar i bazuar në rregulla. Për këtë, ne do t’a mbajmë Rusinë përgjegjëse”.
Von der Leyen tha gjithashtu se Putini “po përpiqej të kthente orën në kohën e perandorisë ruse” dhe “po vendosë në rrezik të ardhmen e popullit rus”.
“Ne nuk do të lejojmë që presidenti Putin të zëvendësojë sundimin e ligjit me sundimin e forcës dhe pamëshirshmërisë. Ai nuk duhet të nënvlerësojë vendosmërinë dhe forca e demokracive tona”, deklaroi ajo.
“Ukraina do të mbizotërojë”.
Udhëheqësit e BE-së do të takohen më vonë sot në Bruksel për të diskutuar sanksionet e reja dhe për të zgjidhur dallimet midis shteteve anëtare./UBTNews/