Bashkimi Evropian ka arritur objektivin e tij të 70 për qind të të rriturve të vaksinuar plotësisht, njoftoi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
“BE synonte të vaksinonte 70 për qind të popullsisë mbi 18 vjeç deri në fund të verës. Por ne duhet të shkojmë më tej! Më shumë evropianë duhet të vaksinohen”, shkroi von der Leyen në Twitter.
“Përveç kësaj, ne duhet të mbështesim vaksinimin në pjesën tjetër të botës me partnerët tanë”, shtoi ajo, ndërsa BE merr pjesë veçanërisht në mekanizmin Covax, që synon të sigurojë vaksina për vendet më të varfra.
Komisioni Evropian, përgjegjës për paraporosinë e vaksinave në laboratorë, kishte njoftuar tashmë në 27 korrik se 70 për qind e popullsisë së rritur në BE kishin marrë të paktën një dozë.
Katër vaksina janë autorizuar në BE nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA): Pfizer/BioNTech, Moderna, AstraZeneca dhe Johnson & Johnson./