Mërgim Vojvoda, një prej shtyllave të mbrojtjes së Kombëtares së Kosovës ka shpalosur emocionet, synimet dhe realizmin e një futbollisti që ka kaluar vite të rëndësishme me fanellën e Dardanëve.
Për të, kualifikimi në Kampionatin Botëror 2026 do të ishte kulmi i karrierës dhe realizimi i ëndrrës së fëmijërisë.
Ai ka theksuar se një sukses i tillë do të kishte peshën e një momenti që e tejkalon çdo arritje individuale.
“Për mua do të ishte ëndrra më e madhe sa i përket futbollit. Kam ëndërruar të luaj në një Kupë të Botës. Të paraqitesha me Kosovën, nuk ka arritje më të madhe. Për mua është gjithçka. Qëllimi është të kualifikohemi, por janë shumë faktorë që duhet të merren parasysh. Nuk do të jetë e lehtë”, tha Vojvoda në FFK Podcast.
Vojvoda e sheh sfidën kundër Sllovakisë si tërësisht të hapur, duke vlerësuar se ekipi i Kosovës ka treguar pjekuri dhe karakter për ta çuar deri në fund këtë rrugëtim. Sipas tij, fakti që finalja e mundshme luhet në shtëpi i jep Dardanëve një ndjenjë shtesë besimi dhe motivimi.
Përballjet e “play-off”-it i ka cilësuar si finale të vërteta, ku çdo detaj, qoftë energjia, freskia apo përqendrimi, mund të bëjë diferencën.
Vojvoda është ndalur edhe te ndryshimet mes gjeneratave, duke vlerësuar se lojtarët e rinj të Kombëtares po tregojnë disiplinë, përqendrim dhe respekt të jashtëzakonshëm për fanellën. Ai ka veçuar me admirim sakrificat e disa prej tyre që udhëtojnë me orë të tëra nga vende të largëta vetëm për të qenë pjesë e Kosovës, duke e cilësuar këtë përkushtim si shembull frymëzues.
Në rikthimin e tij emocionues te humbja e ashpër kundër Zvicrës në nisje të kualifikimeve, Vojvoda ka pranuar se ekipi e përjetoi rëndë atë rezultat.
Megjithatë, ai shtoi se pikërisht ajo sfidë shërbeu si pikë kthese, sepse nga ajo ndeshje grupi ndryshoi qasjen, u bë më kompakt dhe më i bashkuar. Ky transformim, sipas tij, ishte themelor në arritjen e “play-off”-it.
“Kanë qenë të vështira këta tre muaj, intensivë, sidomos pas ndeshjes së parë kur kemi humbur fëlliqtë, ndonëse nuk e kemi merituar atë rezultat. Por pas asaj ndeshjeje shumë njerëz i kemi dëshpëruar. Besoj se ka qenë rrugëtim i vështirë, por me fund shumë të mirë”, tha tutje Vojvoda./S.K/FFK/
