Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar sot për zgjedhjen e Vlora Çitakut, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), në postin e nënkryetares së Kuvendit.
Në votimin e zhvilluar gjatë seancës plenare, kandidatura e Çitakut mori mbështetjen e 95 deputetëve.
Nënkryetari i propozuar nga PDK-ja ishte i vetmi që kishte mbetur pa u zgjedhur në seancën e mëparshme konstituuese, kur u votuan anëtarët e tjerë të kryesisë. Kjo vonesë erdhi pasi PDK-ja i ishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të vlerësuar ligjshmërinë e konstituimit të Kuvendit pas kalimit të afateve kushtetuese.
Javën e kaluar, Gjykata Kushtetuese nxori aktgjykimin duke vlerësuar se Kuvendi është i konstituar konform rregullave dhe se Qeveria nuk është antikushtetuese, duke i hapur rrugë kështu plotësimit të Kryesisë së Kuvendit.
