UBT News

Vlora Çitaku reagon pas dënimit të Thaçit në Hagë: Vendim i turpshëm dhe i papranueshëm

Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar ashpër pas vendimit të sotëm të Gjykatës Speciale në Hagë, e cila e dënoi ish-presidentin Hashim Thaçi me 17 muaj burgim në procesin për pengim të drejtësisë.

Përmes një reagimi publik, Çitaku e ka cilësuar këtë aktgjykim si të turpshëm dhe të papranueshëm, duke theksuar se besimi në paanshmërinë e kësaj gjykate është cenuar thellë. Sipas saj, kontestimet procedurale, proceset e njëpasnjëshme dhe zvarritjet shumëvjeçare i kanë thelluar dyshimet serioze lidhur me mënyrën se si administrohet drejtësia në Hagë, e cila, siç u shpreh ajo, nuk mund të funksionojë me dy standarde.

“Nuk ka asgjë më shqetësuese për drejtësinë sesa kur vendimet e saj pushojnë së befasuari, sepse besimi në paanshmërinë e saj është cenuar thellë. Shpreh zhgënjimin dhe shqetësimin tim të thellë për vendimin e sotëm të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj Presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve”, ka shkruar Çitaku.

Më tej, u.d. e kryetares së PDK-së paralajmëroi se ndaj asaj që e quajti padrejtësi do të ketë reagim të organizuar, duke përmendur mobilizim dhe veprime konkrete politike, juridike e diplomatike. Në fund të reagimit, ajo ritheksoi karakterin e drejtë të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke porositur se sakrifica e popullit për liri është pjesë e pandryshueshme e historisë dhe nuk mund të njolloset asnjëherë. /E.A/

Exit mobile version