Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, bashkë me një grup të ish të burgosurve politikë në krye me Fetah Berishën, kanë vizituar ish-burgun e Prishtinës.
Ministrja Dumoshi i njoftoi ish të burgosurit për planet që ka MKRS-ja në shndërrimin e ish-burgut të Prishtinës në muze për ta dokumentuar të kaluarën e rëndë që ka kaluar populli shqiptar i Kosovës si pasojë e trysnisë dhe dhunës së sistemit të kryesuar nga regjimi monist i kohës e më pas.
Ministrja e informoi Berishën dhe ish të burgosurit se ka themeluar grupin punues që do ta konceptojë objektin e ish-burgut për ta shndërruar në muze.
Ministrja tha se do të grumbullohet i tërë dokumentacioni ekzistues dhe i mundshëm, rrëfimet e të burgosurve, të dhëna tjera materiale dhe do të realizohen brenda objektit disa ndërhyrje, për ta kthyer burgun në formën origjinale.
“Është obligim dhe detyrim i institucioneve të Kosovës që të dokumentojnë vuajtjet, përjetimet dhe tmerret që kanë kaluar gjeneratat e mëparshme për të ardhur deri sot kur ne kemi shtetin dhe institucionet tona”, u tha ministrja Dumoshi.
Ish i burgosuri Fetah Berisha e falënderoi ministren për këtë nismë dhe u shpreh se në këto ambiente ku po qëndron bashkë me shokë, kanë përjetuar tmerre të paimagjinueshme.
“Prej ditës së burgosjes më 22 korrik në vitin 1981, natën e parë më kanë dërguar në kufi me Shqipërinë, ku policë të asaj kohe, më kanë shkreh në dru, më pas më kanë sjellë në burgun e Prishtinës dhe më kanë mbajtur 6 muaj për të zhvilluar hetimet deri sa janë kryer ato dhe gjykata e atëhershme e qarkut e Prishtinës më pati dënuar me dy vite burg”, rrëfeu i emocionuar ish-i burgosuri rahovecas, Fetah Berisha.
Berisha, por edhe të burgosurit e tjerë vizituan qelitë dhe pavijonet e ish-burgut dhe sollën në kujtesë tmerret që kanë përjetuar aty dhe vlerësuan se është një veprim shumë i duhur dhe i pritur, nisma për të shndërruar ish-burgun e Prishtinës në muze.
“Është mirë që gjeneratat që vijnë pas të dinë se çfarë ka përjetuar populli shqiptar i Kosovës për të ardhur deri tek liria”, u shprehën ish të burgosurit, të cilët edhe e falënderuan ministren Dumoshi për këtë projekt.
Ministrja dhe ish të burgosurit vizituan ambientet e ish-burgut, qelitë ku kanë qëndruar të burgosurit, dhomën e hetuesisë, ku sipas rrëfimeve të ish burgosurve asnjë i burgosur nuk dilte në këmbë të veta, por sillej në qeli kapur nga persona tjerë i tërhequr zvarrë, nga tortura e nga të rrahurat.