Presidenti rus Vladimir Putin i ka dhënë nënshtetësinë ruse ish-kontraktorit të NSA-së, Edward Snowden, sipas një dekreti zyrtar të publikuar në portalin e qeverisë ruse të hënën.
Snowden akuzohet për spiunazh dhe vjedhje të pronës qeveritare në SHBA, rrjedhje të informacioneve mbi programet e inteligjencës amerikane dhe mbikqyrjes masive në media.
39-vjeçari ka jetuar në mërgim në Moskë pasi fillimisht udhëtoi për në Hong Kong pas zbulimit publik të informacionit të klasifikuar në vitin 2013. Ai përballet me 30 vjet burg në SHBA.
Në nëntor të vitit 2020, Snowden dhe gruaja e tij, Lindsay Mills, aplikuan për nënshtetësinë ruse. Atij tashmë i ishte dhënë leja e qëndrimit të përhershëm në Rusi.
Vendimi i Putinit për t’i dhënë shtetësinë Snowden vjen vetëm disa ditë pasi Presidenti rus kërcënoi se do të përshkallëzonte luftën e tij në Ukrainë, duke njoftuar “mobilizimin e pjesshëm” të qytetarëve.
Në vitin 2016, Kongresi Amerikan publikoi një raport duke thënë se Snowden kishte qenë në kontakt me zyrtarë të inteligjencës ruse që kur mbërriti në Rusi. Snowden i kishte kundërshtuar menjëherë akuzat./UBTNews/